BallinaNë fokusGazetari Çashule a e di se maqedonasit dhe shqiptarët e kanë nënshkruar...

Gazetari Çashule a e di se maqedonasit dhe shqiptarët e kanë nënshkruar Marrëveshjen e Ohrit?

Shkruan: Naim Sinani

Kjo deklaratë apo analizë e gazetarit të TV Alfa, Kole Çashule, është tendencioze, provokative dhe në kundërshtim me Kushtetutën dhe Ligjin për Gjuhët. Sipas Kushtetutës, nuk është vetëm gjuha maqedonase gjuhë zyrtare, por edhe gjuha shqipe, apo më saktë, siç thuhet në Kushtetutë, gjuha që e flasin 20% e popullsisë. Sipas Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut, asnjë shqiptar nuk është i detyruar ta dijë gjuhën maqedonase, përderisa nuk pretendon të punësohet në ndonjë institucion të caktuar, siç është Ministria e Punëve të Jashtme, pasi sipas Kushtetutës, në marrëdhëniet me jashtë, gjuhë e vetme zyrtare është gjuha maqedonase. Edhe krahasimi i statusit të maqedonasve në Shqipëri apo Kosovë me statusin e shqiptarëve në Maqedoni është i pakuptimtë. Gazetari në fjalë a e di se maqedonasit dhe shqiptarët e Maqedonisë së Veriut e kanë nënshkruar Marrëveshjen e Ohrit? E nga ana tjetër, nuk mund të krahasohet statusi i një popullsie mbi 30% me statusin e 2 mijë maqedonasve në Shqipëri, apo me disa dhjetëra që eventualisht do të deklaroheshin si maqedonas në Kosovë.
Thënë shkurt, kjo analizë i ngjan teksteve të këngëve patriotike, ku këngëtari, për t’i ngritur emocionet e publikut, pa çarë kokën për realitetin, e shpall gjithë botën Maqedoni. E këngë të tilla ka edhe te shqiptarët dhe popujt tjerë. Por ne jetojmë në Maqedoni sipas Kushtetutës, ku është inkorporuar edhe Marrëveshja e Ohrit dhe fryma e saj, e cila thotë se Maqedonia është shtet multietnik, me dy popuj më të mëdhenj dhe disa bashkësi më të vogla, me dy gjuhë zyrtare në nivel shtetëror dhe pesë gjuhë në pushtetin lokal.
E kur jemi te maqedonasit në Shqipëri, gazetari Çashule duhet ta dijë se Komuna e Pustecit në Shqipëri është komuna e vetme maqedonase jashtë Maqedonisë, edhe pse sipas ligjit për vetëqeverisje lokale në Shqipëri, Pusteci nuk i plotëson kushtet për të qenë komunë, por është bërë pikërisht për faktin se është e banuar me pakicë maqedonase. Dhe e pyes gazetarin Çashule, në cilin shtet tjetër fqinj maqedonasit njihen si pakicë? E lëre më të kenë edhe komunë të tyre. E sa i përket dygjuhësisë, Maqedonia nuk e ka shpikur e para. Ka shumë shtete ku ka dy e më tepër gjuhë zyrtare dhe nuk ka asnjë pengesë në funksionim. Deklaratat se dygjuhësia e vështirëson funksionimin e gjyqësorit janë të paqëndrueshme edhe për shkak të faktit se, nëse një i akuzuar deklaron se nuk e kupton gjuhën në të cilën zhvillohet procesi gjyqësor, medoemos duhet t’i sigurohet përkthyes, sepse nuk mund të gjykohet dikush pa e kuptuar aktakuzën.

Lajme te lidhura

spot_img