BallinaLAJMEMaqedoniMinistria e Financave ia mori licencën një shoqërie të madhe për kredi...

Ministria e Financave ia mori licencën një shoqërie të madhe për kredi të shpejta

Ministria e Financave ia mori lejen e punës njërit prej shoqërive më të mëdha financiare për kredi të shpejta në Maqedoni – janë konstatuar shkelje të rënda të dispozitave ligjore

Njëra prej shoqërive më të mëdha financiare për kredi të shpejta ka ndërprerë punën. Ministria e Financave informoi se ia ka marrë lejen e punës, pasi gjatë një mbikëqyrjeje të jashtëzakonshme, të realizuar pas një ankese nga një qytetar, janë konstatuar shkelje serioze të detyrimeve ligjore.

Bëhet fjalë për shkelje të rënda dhe parregullsi serioze në punë, të cilat çuan në marrjen e lejes së punës. Megjithatë, deri tani institucionet kompetente nuk kanë bërë të ditur zyrtarisht se për cilën shoqëri bëhet fjalë.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Financave, mbikëqyrja ka konstatuar shkelje të rënda të dispozitave ligjore, veprim në kundërshtim me rregullat për mbrojtjen e përdoruesve dhe praktika me të cilat qytetarët – përdorues të shërbimeve financiare – janë vënë drejtpërdrejt në rrezik.

Jozyrtarisht, bëhet fjalë për një nga shoqëritë më të mëdha financiare, e cila në vend ka rreth 40 ekspozitura dhe mbi 100 të punësuar.

Ministria e Financave tashmë e ka hequr emrin e kompanisë nga regjistri i shoqërive financiare të licencuara. Ky regjistër më parë numëronte 26 shoqëri, ndërsa tani janë 25 kompani që ofrojnë kredi të shpejta.

Nga Ministria thonë se edhe këtë vit do të vazhdojnë me kontrolle të përforcuara në terren dhe jashtë terrenit ndaj shoqërive financiare. Në mbikëqyrjet e deritanishme janë konstatuar më shumë parregullsi, ndërsa nga fillimi i vitit deri më tani janë shqiptuar 22 gjoba për 16 shoqëri, si dhe 23 urdhra me shkrim për eliminimin e parregullsive të konstatuara.

Në kontrollet e mëparshme, Ministria e Financave konstatoi se një pjesë e shoqërive financiare i vënë në lajthitje përdoruesit potencialë të të ashtuquajturave kredi të shpejta, prandaj u dha afat deri më 15 maj për ta korrigjuar mënyrën e funksionimit.

Vërejtjet kryesisht kishin të bënin me reklamimin, përkatësisht me përdorimin e emërtimeve nga disa shoqëri financiare, të cilat janë të ndryshme nga emri me të cilin ato paraqiten në qarkullimin juridik, gjegjësisht nga emri i përcaktuar në lejen e lëshuar nga Ministria.

“Ka raste kur në dy hapësira të ndryshme afariste përdoren dy emërtime të ndryshme, ndërsa në fakt bëhet fjalë për të njëjtën shoqëri financiare. Në këtë mënyrë krijohet një pasqyrë e gabuar për konkurrencën.

Çështja tjetër që e kemi konstatuar dhe për të cilën kemi dhënë vërejtje ka të bëjë me reklamimin e kredive me 0% kamatë. Nuk themi se është e ndaluar të ofrohen kredi me 0% kamatë, por nëse në kontratë ka edhe tarifa apo shpenzime të tjera, ato detyrimisht duhet të theksohen në vetë reklamimin”, tha Ivan Nedev, udhëheqës i Sektorit për Sistem Financiar në Ministrinë e Financave.

Paralelisht me kontrollet, Ministria po përgatit edhe ndryshime ligjore, me të cilat pritet të ashpërsohen më tej kushtet dhe kriteret për funksionimin e shoqërive financiare.

Qëllimi i ndryshimeve ligjore është të zvogëlohet rreziku nga mbingarkesa me borxhe te qytetarët, të sigurohet mbrojtje më e madhe për konsumatorët dhe të rritet transparenca dhe përgjegjësia në punën e shoqërive financiare.

Lajme te lidhura

spot_img