BallinaLAJMEKosovë16 ditë para zgjedhjeve, Qeveria në detyrë ndan nga 100 euro për...

16 ditë para zgjedhjeve, Qeveria në detyrë ndan nga 100 euro për pensionistët, fëmijët, studentët dhe sektorin privat

Qeveria në detyrë e Kosovës ka miratuar një pako të re financiare në kuadër të masave për përballje me inflacionin, përmes së cilës do të përfitojnë disa kategori të qytetarëve.

Sipas vendimit të miratuar, nga 100 euro mbështetje të njëhershme do të ndahen për pensionistët, fëmijët, studentët aktivë si dhe për punëtorët e sektorit privat.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se Ministrisë së Financave i është kërkuar hartimi i pakos “Përballja me Inflacionin 2.0”, e cila përfshin disa masa mbështetëse për qytetarët në kohën e rritjes së çmimeve.

“Pakon për përballje me inflacionin 2.0 që e kemi dizajnuar dhe do ta miratojmë sot me masat: mbështetje e njëhershme prej 100 euro për pensionistë, mbështetje e njëhershme prej 100 euro për fëmijët, mbështetje e njëhershme prej 100 euro për punonjësit e sektorit jopublik, mbështetje prej 100 eurosh për studentët aktivë”, ka deklaruar Kurti.

Po ashtu, në mbledhjen e Qeverisë është miratuar edhe rritja e shtesave për lehonat. Sipas deklarimeve, nga korriku shtesat mujore për lehonat do të rriten nga 325 euro në 500 euro, në të njëjtën kohë kur paga minimale pritet të bëhet 500 euro.

Qeveria ka bërë të ditur se pagesat për pensionistët dhe fëmijët pritet të realizohen gjatë javës së ardhshme, ndërsa punëtorët e sektorit privat do të duhet të aplikojnë për përfitimin e kësaj mbështetjeje financiare.

Lajmi ka nxitur reagime të shumta në opinion publik, pasi vendimi vjen vetëm 16 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve.

Lajme te lidhura

spot_img