Qeveria e Maqedonisë së Veriut pritet që brenda një jave të prezantojë zgjidhjen që provimi i jurisprudencës të mund të jepet edhe në gjuhën shqipe. Lajmin e bëri të ditur zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i eurointegrimeve, Bekim Sali, i cili tha se procesi ndodhet në fazën përfundimtare të konsultimeve me ekspertë.
Sipas tij, institucionet janë duke punuar për një pako më të gjerë që do të përfshijë edhe çështje të tjera të ngjashme që lidhen me përdorimin e gjuhës shqipe në procedura dhe provime zyrtare.
“Jemi në përfundim e sipër të fazës së konsultimeve me ekspertë dhe unë besoj që shumë shpejtë, ndoshta edhe… tash nuk dua të kapeni për afatin kohor, ndoshta edhe një javë mund të zgjasë deri në vendimin final të cilin do ta promovojmë në mënyrën e njëjtë”, deklaroi Sali.
Ai theksoi se zgjidhja nuk do të kufizohet vetëm te provimi i jurisprudencës, por do të jetë pjesë e një qasjeje më të gjerë institucionale për trajtimin e temave të ngjashme.



