Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, zhvillon sot një vizitë zyrtare në Kosovë, ku pritet të takohet me drejtuesit më të lartë institucionalë dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Sipas agjendës zyrtare, zyrtarja e lartë evropiane do të pritet fillimisht nga ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, në një takim të planifikuar në orën 10:00.
Më pas, Marta Kos do të zhvillojë një takim edhe me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti. Zyra e Kryeministrit ka bërë të ditur se pas takimit, në orën 10:45, dy zyrtarët do të mbajnë një konferencë të përbashkët për media.
Vizita e komisioneres për Zgjerim vjen në një moment të rëndësishëm politik për Kosovën, vetëm tri javë përpara zgjedhjeve të reja që pritet të mbahen në vend. Takimet pritet të fokusohen te procesi i integrimit evropian, zhvillimet politike dhe reformat që lidhen me rrugën e Kosovës drejt Bashkimit Evropian.



