Punimet për projektin rrugor Tetovë–Prizren nuk po zhvillohen me të njëjtën dinamikë në të dyja shtetet. Deri më tani, Kosova është dukshëm përpara në realizimin e projektit, ndërsa Republika e Maqedonisë së Veriut ka përfunduar vetëm fazën projektuese dhe pret shpalljen e tenderit për projektin final.
Zëvendësministrja e Transportit, Kaltrina Zekolli Shaqiri, deklaroi se vonesat në RMV janë pasojë e mosangazhimit të qeverisë së kaluar ndaj këtij projekti.
Kaltrina Zekolli Shaqiri, zv/ministre e Transportit:
“Nuk është dinamika e njëjtë, pasi te ne nuk është punuar aspak. Ne filluam që nga jetësimi i kontratës, krijimi i grupit punues, koordinimi dhe ndarja e detyrave. Detyra projektuese është përfunduar dhe është dërguar në Kosovë për miratim. Procesi u ngadalësua edhe për shkak të cikleve zgjedhore në Kosovë. Tani në buxhet janë paraparë mjetet për projektin final dhe presim hapjen e tenderit.”
Për pritjen e shpalljes së tenderit foli edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës së tij në Shkup më 9 maj.
Albin Kurti, kryeministër i Kosovës:
“Sa i përket rrugës Tetovë–Prizren, komisioni ndërshtetëror për realizimin e këtij projekti është formuar qysh vitin e kaluar. Tani pritet hapja e tenderimit për projektin final, për të cilin Qeveria e RMV-së ka ndarë 2 milionë euro. Presim që sa më parë të fillojë ndërtimi i kësaj rruge me rëndësi strategjike për ndërlidhjen dhe zhvillimin e dy vendeve tona, për qytetarët dhe bizneset.”
Sa i përket tunelit, zëvendësministrja Zekolli tha se ende nuk janë finalizuar detajet teknike, pasi bëhet fjalë për pjesën më të ndërlikuar dhe më të kushtueshme të projektit, për shkak të terrenit malor.
Ndërkohë, Kosova tashmë ka nisur punimet në terren. Punimet filluan më 13 gusht 2024, ndërsa më 2 gusht 2024 u nënshkruan kontratat për realizimin e projektit. Po ashtu, më 23 maj 2024, Kuvendi i Kosovës miratoi marrëveshjen për bashkëfinancimin e punimeve për rrugën Tetovë–Prizren.



