BallinaEkonomi"Fiç" konfirmoi rejtingun kreditor "BB+" me perspektivë stabile: Konfirmim i stabilitetit të...

“Fiç” konfirmoi rejtingun kreditor “BB+” me perspektivë stabile: Konfirmim i stabilitetit të qëndrueshëm ekonomik dhe besimit në politikat ekonomike

Agjencia e Rejtingut Kreditor “Fitch” ka konfirmuar rejtingun kreditor të Republikës së Maqedonisë së Veriut me “BB+” me perspektivë stabile, duke dërguar sinjal të qartë për besimin në politikat ekonomike të vendit, informojnë nga Ministria e Financave (MF).

“Në raportin e saj të fundit, ‘Fiç’ thekson se politikat makroekonomike konsistente dhe kredibile, politika afatgjate e kursit devizor fiks dhe treguesit e favorshëm të menaxhimit në krahasim me vendet me rejting të ngjashëm mbeten faktorë krucialë që mbështesin stabilitetin. Përveç kësaj, angazhimi ndaj procesit të anëtarësimit në BE vlerësohet si spirancë e rëndësishme reformash në periudhë afatmesme”, thonë nga MF.

Theksojnë se rritja reale ekonomike u përshpejtua në 3,5 për qind në vitin 2025, e nxitur nga kërkesa e brendshme dhe investimet, të cilat arritën rritje prej 8 për qind.

“Pavarësisht sfidave nga mjedisi i jashtëm, ‘Fiç’ pret që ekonomia të vazhdojë me rritje të qëndrueshme prej 3 për qind në vitin 2026 dhe të përshpejtohet më tej në 3,4 për qind në vitin 2027, gjë që e pozicionon vendin tonë në një rrugëtim të qëndrueshëm të rritjes”, theksojnë nga MF.

Shtojnë se politika fiskale vazhdon të jetë e kujdesshme dhe e përgjegjshme.

Deficiti buxhetor e ruan nivelin e planifikuar prej 4 për qind të PBB-së në vitin 2025, me një trajektore të qartë për uljen e tij graduale në 3,4 për qind deri në vitin 2027. Njëkohësisht, borxhi publik vazhdon të jetë në nivel të moderuar dhe të kontrolluar, dukshëm nën kriteret evropiane, gjë që e konfirmon më tej stabilitetin fiskal. Në raport theksohet gjithashtu edhe ekspozimi ndaj risqeve të jashtme, veçanërisht në pjesën e tregjeve energjetike, por vlerëson se goditjet e tilla nuk do të kenë çrregullime afatgjata mbi ekonominë. Inflacioni tregon  trend të  stabilizimit, në pritje të nivelit të moderuar në periudhën e ardhshme dhe stabilizim të mëtejshëm në vitin 2027″, saktësojnë nga MF.

Konfirmimi i rejtingut kreditor “BB+” me perspektivë stabile paraqet sinjal të rëndësishëm për tregjet financiare ndërkombëtare dhe investitorët se Maqedonia e ruan stabilitetin makroekonomik dhe ndjek politikë ekonomike të parashikueshme edhe në kushte të pasigurisë globale.

Lajme te lidhura

spot_img