Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Fatmir Limani, së bashku me kryetarët e dhjetë komunave, nënshkruan 11 kontrata për grant, duke realizuar kështu një masë tjetër të rëndësishme për avancimin në qasjen në arsimin parashkollor cilësor dhe kujdesin ndaj fëmijëve.
Aktiviteti është pjesë e komponentit të dytë të Projektit të Dytë për Përmirësimin e Shërbimeve Sociale (SSIP II), i cili synon të zgjerojë përfshirjen dhe të përmirësojë cilësinë e arsimit parashkollor dhe kujdesit për fëmijërinë e hershme.
Këto kontrata parashikojnë rinovimin dhe pajisjen e hapësirave të pashfrytëzuara shkollore dhe komunale, të financuara nga Ministria e Politikës Sociale Demografisë dhe të Rinjve, të cilat do të shndërrohen në objekte funksionale për kujdesin dhe edukimin e fëmijëve parashkollorë. Në këtë mënyrë mundësohet krijimi i grupeve parashkollore në kushte alternative hapësinore – zgjidhje e shpejtë, efikase dhe e qëndrueshme, dhe kontribuon drejtpërdrejt në rritjen e disponueshmërisë së shërbimeve për fëmijët dhe familjet e tyre.
Në kuadër të këtij procesi, gjatë vitit të kaluar u nënshkruan dy kontrata të tjera për pajisje me komunat e Kavadarit dhe Kisella Vodës. Me 11 kontratat e reja, numri i përgjithshëm i kontratave të nënshkruara arrin në 13, që përfaqëson një hap të rëndësishëm përpara në zgjerimin sistematik të shërbimeve parashkollore.
Në fjalimin e tij, Ministri Limani theksoi se kjo qasje rrit ndjeshëm përfshirjen e fëmijëve në arsimin parashkollor, e afron sistemin me qytetarët dhe ofron mundësi të barabarta për çdo fëmijë, pavarësisht nga vendbanimi i tyre.
“Ky partneritet ndërmjet qeverive qendrore dhe lokale është dëshmi se me angazhim të përbashkët mund të arrijmë rezultate konkrete dhe të dukshme për qytetarët. Grupet e reja parashkollore do të kontribuojnë në një zhvillim më të mirë kognitiv dhe social të fëmijëve, në një gatishmëri më të madhe për shkollën dhe në uljen e pabarazive që në moshë të hershme. Ministria mbetet e përkushtuar fuqimisht për të investuar në fëmijërinë e hershme – sepse këtu fillojnë mundësitë e barabarta”, theksoi Limani.



