Në kuadër të Manifestimit Kulturor Mbarëkombëtar “Flaka e Janarit 2026”, që po mbahet në Gjilan nën patronatin e kryetarit të komunës, Alban Hyseni, dhe me mbështetjen e Drejtorisë për Kulturë, Rini e Sport, poetja Blinera Hajdari u shpall fituese e çmimit letrar “Pena e Flakës 2026” me poezinë e saj “Përtej lëkure”.
Në hapje të aktivitetit, Linditë Ramushi Dushku, përgjegjëse e kësaj shtylle, theksoi se “Flaka e Janarit” nuk është thjesht një manifestim kulturor, por një amanet historik që mban gjallë kujtimin për të gjithë ata që dhanë jetën për liri. Ajo shtoi se përmes fjalës, këngës, artit dhe kulturës, ky manifestim rikthen frymën e qëndresës kombëtare.
Në garë për çmimin “Pena e Flakës” morën pjesë nëntëmbëdhjetë poetë të përzgjedhur paraprakisht, duke lexuar poezitë e tyre:
Preng Maca – Çifteli, Fatmir Mehmeti – Jetë e pakryer, Flamur Shala – Jam nis me ardh, Liridon Hyseni – Kolovajzë nën zhargon, Shqipe Hasani – Simfonia e sagave, Teutë Bajraktari Cakaj – Pa zëvendësim, Klejda Plangarica – Fëmija i palindur, Selajdin Shabani – Kur më mungon diçka, Sunaj Raimi – Hipnoza e dashurisë, Arlind Farizi – Baba, Alisa Bekteshi – Njësoj, Emrah Bilalli – Drama e mistershme, Sarë Gjergji – Kur zëri dëbon hijen, Blinera Hajdari – Përtej lëkure, Fatos Rushiti – Dua të dal, Mirvete Haziri-Bucolli – Në sytë e tu digjet heshtja, Sadbere Gagica Spahija – Mit i ringjalljes, Ajne Iberhysaj – Në sytë e tu, Selvete Abdullahu – Sfond i ngjyrosur.
Juria e Orës së Madhe Letrare, në përbërje Afrim Demiri, Alketa Spahiu dhe Arsim Halili, përzgjodhi poezinë fituese “Përtej lëkure”, e cila do t’i dorëzohet poetes gjatë aktivitetit përmbyllës “Gala Mbrëmje” që mbahet sonte në ora 18:00.
Aktiviteti letrar u pasurua me një pikë muzikore të interpretuar nga Albina Jakupi, këngë e kompozuar nga profesori i ndjerë Isa Jakupi, kushtuar Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës, ndërsa të gjitha poezitë e deklamuara u shoqëruan me tinguj piano nga Etrita Hasani.
Gjithashtu, gjatë aktivitetit u bënë publike rezultatet e konkursit anonim letrar 2026:
Në poezi:
Psalm për të pagjeturit, shifra: Orfeu
Bosh, shifra: Muneosi
Hiri i Aleksandrisë, shifra: 1999
Në prozë:
Toka që mbante frymë, shifra: Metamorfoza
Heshtja që mbijetoi, shifra: Axel
Post Mortum, shifra: Dashuria e fundit
Ky aktivitet letrar nënvizon rëndësinë e fjalës dhe artit si format më fisnike të qëndresës dhe kulturës kombëtare, duke bashkuar poezinë, muzikën dhe kujtimin historik në kuadër të “Flakës së Janarit 2026”.



