Pritjes i erdhi fundi. Nesër, me fillim nga ora 18:00, do të bëhet inaugurimi i Bulevardit të ri “VS Bato”, një investim i rëndësishëm infrastrukturor që pritet t’i japë një hov të ri zhvillimit urban dhe ekonomik të rajonit.
Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, përmes një njoftimi publik, duke theksuar se bulevardi i ri përfaqëson një hap të madh për qytetin dhe rrethinën.
Sipas Kasamit, kjo rrugë e re do të përmirësojë ndjeshëm lidhjen mes Porojit, Xhepçishtit dhe banorëve të Komunës së Tearcës me qytetin e Tetovës, duke i afruar më shumë se kurrë më parë dhe duke lehtësuar qarkullimin ditor të qytetarëve.
“Bulevardi ‘VS Bato’ është një rrugë që lidh, zhvillon dhe i jep frymë të re qytetit tonë. Është një investim që i shërben së ardhmes”, ka deklaruar Kasami, duke ftuar qytetarët të marrin pjesë në ceremoninë e hapjes.
Inaugurimi do të mbahet në fshatin Poroj, pranë pompës së benzinës, ku pritet pjesëmarrje e qytetarëve dhe përfaqësuesve institucionalë, për të festuar së bashku përfundimin e këtij projekti të rëndësishëm infrastrukturore.



