Shkruan -Mr Safit Zeqiri
Kampi politik shqiptar, në Republikën e Maqedonisë së Veriut gjenden sot në një moment vendimtar. Jo vetëm për ekzistencën e tyre politike, por edhe për rolin e shqiptarëve në shtetin multietnik që pretendon të ecë drejt integrimit evropian. Në terrenin politik aktual, shqiptarët kanë fituar pozita të rëndësishme dhe ndikim të pashmangshëm institucional, por ndarja e brendshme dhe lufta për poste për momentin ka krijuar një distancë midis partive dhe qytetarëve që i përfaqësojnë. Lodhja e votuesit shqiptar është evidente më nga retorika e konsumuar, nga premtimet e pambajtura, nga manovrat taktike dhe koalicionet e papritura. Në këtë klimë mosbesimi, partitë shqiptare rrezikojnë të humbasin jo vetëm mbështetje, por edhe mundësinë për të qenë faktor vendimmarrës në proceset e mëdha që e presin vendin, veçanërisht dialogun për integrim evropian. Integrimi në BE është test i madh, sepse tani më Shqipëria ka hapur të gjitha klasterët e negociatave, ndërsa Maqedonia e Veriut mbetet e bllokuar mes interesave të brendshme dhe vetos së Bullgarisë. Në këtë kontekst, partitë shqiptare duhet të dalin nga logjika e “koalicionit për poste” dhe të marrin përsipër rolin që realisht u takon, të jenë forca e vetme që e çon vendin drejt Europës.
Shqiptarët, historikisht, kanë qenë promotori më i sinqertë i integrimit euro-atlantik dhe tani është koha që kjo energji të kanalizohet në kërkesa të qarta politike dhe pozicionime të forta në qeverisje. Sot, është urgjente që partitë shqiptare të ndërtojnë një platformë të përbashkët kombëtare pro evropiane, të standardizuar dhe të paprekshme nga pazaret ditore. Pra, pa një dokument të tillë, shqiptarët vetëm se futen të përçarë në negociata, duke zbehur fuqinë e tyre politike. Barazia në administratë, respektimi real i gjuhës shqipe, zhvillimi ekonomik i komunave shqiptare, ringritja e arsimit, integrimi europian dhe siguria institucionale duhet të jenë shtylla bazë. Në anën tjetër, është jetike që partitë shqiptare të bëjnë një ndryshim radikal të kulturës së komunikimit.
Kështu që, në vitin 2026, komunikimi politik nuk duhet të mbetet në formatin e vjetër me deklarata emocionale, konferenca të zjarrta dhe akuzime të pafundme midis vetë shqiptarëve. Elektorati kërkon profesionalizëm, qartësi, strategji dhe transparencë. Koha kur një video 30-sekondëshe me retorikë patriotike mjaftonte për të marrë vota ka kaluar, sot, kërkohen argumente, jo emocione të stisura. Përtej polemikave mes VLEN dhe BDI-së, shqiptarët kanë nevojë për bashkëpunim minimal në interesat kombëtare dhe shtetërore. Lufta e brendshme partiake dhe ajo mes partiake-shqiptare ka shteruar energjinë politike dhe ka përgatitur terrenin që votuesi të tërhiqet nga politika, duke ulur ndikimin e shqiptarëve në nivel shtetëror. Pa qetësimin e këtij fronti të brendshëm, asnjë projekt politik nuk mund të prodhojë rezultat.
Ajo që u mungon sot partive shqiptare është krijimi i një elite të re profesionale, me gjeneratë të ekspertëve, diplomatëve, menaxherëve lokalë, juristëve dhe ekonomistëve që nuk janë të lidhur me ciklet e vjetra të nepotizmit. Pa ndërtimin e kësaj elite, çdo premtim për modernizimin e shtetit mbetet frazë e zbrazët. Shqiptarët në RMV janë sot faktor i rëndësishëm politik, por jo faktor transformues. Këtu qëndron sfida. nëse partitë shqiptare vazhdojnë të funksionojnë me logjikën e vjetër, elektorati do t’i ndëshkojë sërish, dhe vendi rrezikon të zhytet në stagnacion të zgjatur. Por nëse ato kuptojnë momentin historik, momentin kur integrimi europian kërkon përgjegjësi të re, kur qytetari kërkon dinjitet dhe kur vota shqiptare kërkon respekt. E atëherë shqiptarët mund të kthehen në boshtin kryesor të transformimit politik të vendit. Koha për retorikë ka mbaruar. Ka filluar koha e maturisë politike. Në fund të fundit, shqiptarët nuk presin më premtime, presin rezultate.



