Shkruan Mr Safit Zeqiri
Pas zgjedhjeve të fundit, blloku politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut duket se ka hyrë në një gjendje të pazakontë heshtjeje. Në një kohë kur rajoni po lëviz me ritme të reja drejt Bashkimit Evropian, politika shqiptare këtu duket pak e zhytur në një “gjumë post-zgjedhor” që po e largon nga realiteti i sfidave strategjike.
Koalicioni VLEN, si faktori kryesor shqiptar në qeveri, ka një mundësi historike për të rikthyer narrativën e shqiptarëve si promotori më i fortë i integrimit evropian. Edhe pse ky koalicion po mban dinamikën e përqendruar më shumë në pushtet vendor, emërime dhe administrim, por duhet edhe në një ofensivë të qartë politike drejt BE-së. Ndërkohë Shqipëria ka hapur të gjitha klasterët e negociatave, duke dëshmuar se rajoni po ecën pa pritur asnjë vend tjetër dhe duke tejkaluar të gjitha sfidat. Ky është një mesazh i qartë, kush ka vizion dhe vendos prioritetet e duhura, ecën përpara.
VLEN erdhi që në ditët e para të qeverisjes me agjendë të prerë reformash dhe me platformë të qartë se si shqiptarët do ta shtyjnë vendin drejt hapjes së klasterëve të parë. Edhe pse nuk po shihet kjo energji, por ka tentativë që këtë ta filloj para përfundimit të vitit, e të bëjë një vazhdimësi në vitin tjetër. Në krahun tjetër, AKI si opozitë shqiptare nuk ka dhënë asnjë shenjë se e ka kuptuar mesazhin e asaj që ndodhi në zgjedhjet lokale. Ende po mbizotëron retorika e vjetër, faji është diku tjetër. Por me këtë qasje, opozita nuk prodhon alternativë dhe as nuk ndikon në proceset strategjike si integrimet. Madje, nuk po artikulohet as fakti se Maqedonia e Veriut është e bllokuar nga vetoja bullgare, ndërsa vendet fqinje avancojnë drejt BE-së.
Opozita duket më e interesuar në luftë për strukturat sesa në sfidat gjeopolitike. Në kohën kur Shqipëria dhe Mali i Zi ecin përpara dhe intensifikojnë proceset, Maqedonia e Veriut ngec në stallë politike, peng i një vetoje që kërkon maturi dhe diplomaci shumë më të fortë se ajo që po shohim. Në këtë kontekst, koalicioni qeverisës VLEN duhet të nxisë forca që i jep ritëm pro-evropian vendit. Sepse, ne shqiptarët, jemi para një prove historike, ose do të pozicionohemi si forca që e shtyn vendin drejt BE-së, ose do të mbesim spektatorë të suksesit të të tjerëve. Andaj VLEN duhet të marrë rolin e merituar në drejtimin e integrimit, ndërsa opozita duhet të bëhet opozitë reale, jo nostalgji e së shkuarës. Sepse “gjumi” pas zgjedhor është luks që nuk mund ta përballojë as blloku shqiptar dhe as aj maqedonas. Rajoni nuk pret, Evropa nuk pret, as koha politike nuk fal askënd që fle.



