BallinaLAJMEKosovëLDK-ja e mban Prishtinën, LVV-ja e merr Mitrovicën

LDK-ja e mban Prishtinën, LVV-ja e merr Mitrovicën

Beteja finale për pushtetin lokal ka marrë epilog të dielën në balotazhin e zhvilluar në 18 komuna të Kosovës. Nëpërmjet votës, qytetarët vendosën se kush do të udhëheqë në Prishtinë, Prizren, Pejë, Junik, Dragash, Gjakovë, Kaçanik, Fushë-Kosovë, Mitrovicë të Jugut, Rahovec, Suharekë, Gjilan, Viti, Vushtrri, Obiliq, Klinë, Mamushë dhe Kllokot.

Procesi ka kaluar i qetë dhe pa incidente të mëdha, ndërsa gjatë ditës janë raportuar vonesa në hapjen e qendrave të votimit në disa zona, fotografim të fletëvotimeve, e probleme me votimin me asistencë.

Mbi 32.5 për qind e qytetarëve me të drejtë vote në 18 komunat që ishin në balotazh, kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre për votë të dielën. Ndërkaq në rundin e parë në të gjitha komunat, dalja ishte rreth 40 për qind.

Balotazhi e konfirmoi hartën e re politike të udhëheqjes së komunave. Vetëm në katër komuna me shumicë shqiptare do të ketë kryetarë të rinj pas zgjedhjeve lokale të mbajtura më 12 tetor dhe balotazhit më 9 nëntor. Ndryshim të pushtetit ka në Mitrovicën e Jugut, Fushë-Kosovë e Obiliq. Në të tria komunat kanë fituar kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje. Faton Peci fitoi në Mitrovicë, Valon Prebreza në Fushë-Kosovë e Halil Thaçi në Obiliq.

Ndërkohë, në Kaçanik vazhdon të jetë në pushtet Partia Demokratike, por në vend të Besim Ilazit, kryetar do të jetë Sabedin Vishi.

LVV-ja e LDK-ja do të udhëheqin nga shtatë komuna

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, pas numërimit të votave në shumicën e vendvotimeve, do të udhëheqin nga shtatë komuna.

Lëvizja Vetëvendosje nga 12 komuna në të cilat garoi në balotazh, ka fituar në Mitrovicë të Jugut, Gjilan, Obiliq e Fushë-Kosovë. Pati fituar në rundin e parë në Podujevë, Shtime e Kamenicë.

Kryetari i këtij subjekti, Albin Kurti, ka thënë se ky është sukses i madh marrë parasysh se të gjitha subjektet e tjera, sipas tij, ishin kundër kandidatëve të LVV-së.

Lajme te lidhura

spot_img