Safit Zeqiri
Në një kohë kur diploma e magjistraturës dikur shihej si garanci për avancim profesional dhe rritje të pagës, në vitin 2025 ky titull tashmë është shndërruar më shumë në një dekor personal sesa në përfitim real. Në Republikën e Maqedonisë së Veriut, mijëra të rinj e të reja që kanë përfunduar studimet pasuniversitare e mbajnë me krenari titullin “M-r”, por pa ndonjë ndryshim në statusin e tyre ekonomik apo institucional. Krenaria për marrjen e diplomës së magjistrit mbetet e madhe — një arritje që simbolizon vite pune, studimi e sakrificash, por pas entuziazmit, vjen përplasja me realitetin e sistemit publik: magjistratura nuk sjell më asnjë ndryshim në pagë apo në gradim.
Që nga ndryshimet ligjore të vitit 2014 në Ligjin për nëpunësit administrativë, të propozuara nga Ministria për Shoqëri Informatike dhe Administratë, diferencimi i pagave sipas shkallës së arsimimit është fshirë. Të diplomuarit, magjistratët dhe doktorët e shkencave paguhen njësoj — me 200 pikë bazë, ndryshe nga më herët kur magjistratët kishin 225 dhe doktorët 250. Në praktikë, kjo do të thotë se edhe në vitin 2025, shteti nuk e njeh financiarisht përparimin akademik si vlerë shtesë. Sipas të dhënave nga Enti Shtetëror i Statistikës, numri i magjistrave në vend vazhdon të rritet. Vetëm në vitin 2024, mbi 1.900 persona kanë përfunduar studimet pasuniversitare, shumica në fushat e shkencave shoqërore dhe tekniko-teknologjike. Megjithatë, asnjë nga institucionet publike – as Agjencia për Punësim, as MSHIA, as Ministria e Financave – nuk kanë paraparë mekanizma për shpërblimin e këtij niveli akademik. Magjistratura ndihmon në fitimin e njohurive të specializuara që mundësojnë përparimin në fushën ku studiohet apo hulumtohet. Me zhvillimin e fuqisë punëtore dhe kërkesave gjithnjë më të larta të tregut, studimet pasuniversitare tregojnë një përkushtim ndaj përmirësimit të ekspertizës dhe kredibilitetit profesional.
Ky nivel arsimor i mundëson individit të fokusohet në një fushë të caktuar studimi, duke e bërë më konkurrues dhe më të përgatitur për sfidat që sjell profesioni i tij. Përfitimet nga magjistratura janë të shumta: ajo ndihmon në ngritjen e aftësive ekzistuese, zhvillimin e njohurive të reja dhe, në disa raste, krijon mundësi për një drejtim tërësisht të ri në karrierë. Në shumë vende të zhvilluara, ky nivel i arsimit të lartë shoqërohet me përfitime konkrete ekonomike. Për shembull, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, punonjësit me diplomë të ciklit të parë fitojnë mesatarisht rreth 65.400 dollarë në vit, ndërsa ata me titull magjistri arrijnë një të ardhur mesatare vjetore prej 80.200 dollarësh, që paraqet një rritje prej 23 për qind. Por kjo situatë nuk pasqyrohet edhe në realitetin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Që nga ndryshimet ligjore të vitit 2014, fitimi i titullit “Magjistër i shkencave” apo “Doktor i shkencave” nuk shoqërohet me asnjë rritje të pagës apo përfitim shtesë në administratën publike. Kështu, ndryshe nga vendet perëndimore ku arsimi i avancuar përkthehet në vlerë të shtuar ekonomike, në Maqedoninë e Veriut ai mbetet kryesisht simbolik – një titull nderi që nuk shpërblehet financiarisht. Në sektorin privat situata është edhe më e paqartë. Shumë kompani të vogla e të mesme nuk kanë sistem kategorizimi sipas shkallës së arsimit, ndërsa punëdhënësit shpesh theksojnë “përvojën dhe performancën”, jo diplomën, si kriter për rrogë. Kështu, tregu i punës në Maqedoninë e Veriut në vitin 2025 prodhon më shumë magjistra sesa vende pune që kërkojnë njohuri të thelluara. Për universitetet, ndërkohë, magjistratura ka mbetur një burim i rëndësishëm i të ardhurave. “Gara për studentë pasuniversitarë” është bërë pjesë e strategjisë për mbijetesë akademike. Në shumë raste, institucionet arsimore private ofrojnë programe të shpejta e të kushtueshme, që shpesh shërbejnë më shumë për status se për zhvillim profesional real. Në këtë situatë, pyetja që shtrohet është: A do të vazhdojë magjistratura të vlejë vetëm për “titulë në kartvizitë”, apo do të kthehet në instrument për meritokraci dhe vlerësim real të dijes? Nëse politika e pagave dhe avancimeve nuk ndryshon, rreziku është që titulli “M-r.” të humbasë çdo peshë simbolike dhe profesionale, duke u shndërruar në një formalitet që nuk shpërblen përpjekjen dhe dijen.



