BallinaNë fokusPakënaqësi, bojkot apo mungesë e elektoratit për zgjedhjet lokale 2025?

Pakënaqësi, bojkot apo mungesë e elektoratit për zgjedhjet lokale 2025?

Safit Zeqiri

Raundi i parë i Zgjedhjeve lokale të vitit 2025 në Maqedoninë e Veriut, ashtu siç u priten të jenë një test i vërtetë jo vetëm për partitë politike, por edhe për vetë besueshmërinë e sistemit demokratik në vend. Shumë më tepër se një garë për komunat, këto zgjedhje ishin një pasqyrë e thellë e disponimit qytetar dhe një tregues se sa i lodhur është elektorati nga politika e vjetër, premtimet boshe dhe zhgënjimet e përsëritura. Në javët e fundit, gjithnjë e më shumë u dëgjua një fjalë që dikur ishte tabu: bojkot. Por a është vërtet bojkot, apo kemi të bëjmë me një mungesë të natyrshme motivimi të qytetarëve për të dalë në votime? Shumë faktorë ndikojnë në këtë dilemë, nga mungesa e rezultateve konkrete në nivel lokal, deri te ndarja e thellë partiake që ka lodhur çdo debat publik. E gjithë kjo rezultoi me një dalje nën 50% të elektoratit dhe me një numër të konsiderueshëm të fletëvotimeve të pavleshme që rezultoi deri më 53724, dukshëm një pakënaqësi nga votuesi i rregullt.

Pjesëmarrja e ulët në zgjedhje është bërë tashmë fenomen i zakonshëm në demokracitë e reja, por në rastin e Maqedonisë së Veriut, ajo po merr përmasa alarmante. Qytetarët, veçanërisht të rinjtë, nuk po shohin më kuptim në procesin zgjedhor. Ata e perceptojnë votën si një akt që nuk sjell ndryshim real, pasi përballë tyre janë të njëjtat fytyra, të njëjtat premtime dhe i njëjti stil i vjetër i qeverisjes lokale.

Nga ana tjetër, partitë politike nuk po arrijnë të komunikojnë me elektoratin në mënyrë të re. Fushatat mbeten të përqendruara në retorikë emocionale, ndërkohë që qytetarët presin zgjidhje konkrete për çështje të përditshme, rrugë, mbeturina, ujë të pijshëm, hapësira publike, siguri lokale. Dhe për më shumë fushata më tepër u fokusua në fushatë si për zgjedhje parlamentare e jo për zgjedhje për të zgjedhur ato lokale.

Nëse pjesëmarrja bie ndjeshëm, kjo nuk duhet lexuar si sukses i ndonjë partie, por si dështim i përgjithshëm i sistemit politik për të ndërtuar besim. Bojkoti, në çdo formë që shfaqet, është një mesazh i qartë, qytetari nuk ndjen më përfaqësim. Por ky mesazh nuk do të ketë peshë nëse mbetet vetëm në heshtje, sepse mungesa e votës, pa organizim dhe pa kërkesë të artikuluar për ndryshim, mbetet thjesht një pasivitet i rrezikshëm. Në vend që partitë të fajësojnë njëra-tjetrën për apatinë qytetare, ndoshta është koha të pyesin veten: Çfarë kemi bërë për ta rikthyer besimin e njerëzve në politikë? Komunikimi me qytetarët duhet të kalojë nga fjalimet e mitingjeve në takime reale në terren, nga premtimet e përgjithshme në plane konkrete për zhvillim lokal. Vetëm atëherë qytetarët do të ndiejnë se vota e tyre ka vlerë. Në fund, zgjedhjet lokale të 2025-ës edhe pas raundit të dytë, a do të tregojnë më shumë për shëndetin e demokracisë sesa për fituesit e radhës. Nëse pjesëmarrja do të jetë e ulët, atëherë faji nuk është i qytetarëve, por i gjithë klasës politike që nuk arriti ta mbajë gjallë besimin në demokraci.

Lajme te lidhura

spot_img