Zëdhënësi i qeverisë gjermane Stefan Kornelius e përshkroi takimin ndërmjet presidentit amerikan Donald Tramp dhe presidentit ukrainas Volodomir Zelenski si konstruktiv, pasi lideri ukrainas pati bisedë telefonike me liderët evropianë, duke përfshirë edhe kancelarin gjerman Fridrih Merc, pas takimit me Trampin, njoftoi DPA.
Merci dhe liderët e tjerë evropianë supozohet se e kanë përshëndetur “bashkëpunimin e ngushtë transatlantik” dhe e theksuan nevojën e arritjes së paqes së drejtë dhe të përhershme për Ukrainën.
“Ukrainës tani i duhet plan paqësor”, tha Merci pas bisedës me Zelenskin.
Qeveria gjermane tha se liderët evropianë kishin premtuar mbështetje për Ukrainën në mënyrë që ta shtynin Rusinë në negociata serioze. Masat në këtë drejtim përfshijnë forcimin e sanksioneve dhe përdorimin e aseteve shtetërore ruse të ngrira.
“Volodymir Zelenski ka mbështetjen e plotë të Gjermanisë dhe miqve tanë evropianë në rrugën drejt paqes”, tha Merci, duke theksuar se liderët u koordinuan pas takimit të Zelenskit me Trampin dhe se do të ndjekin me vëmendje se çfarë do të ndodhë më pas.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute dhe udhëheqësit e institucioneve evropiane, gjithashtu, morën pjesë në bisedën e Zelenskit me liderët evropianë.



