Ulja globale e ndihmës për zhvillim tashmë e goditi buxhetin e UNICEF-it këtë vit, me pasoja serioze për fëmijët, paralajmëroi Agjencia e KB-së.
Drejtoresha ekzekutive e UNICEF-it, Ketrin Rasell deklaroi se Agjencia pret rënie prej të paktën 20 për qind në financimin global për programe humanitare dhe afatgjate për fëmijë dhe familje.
Ajo paralajmëroi se financimi i ulur mund të sjellë deri në më pak vaksina, kujdes më të keq mjekësor dhe ndërprerje në arsim, që mund t’i destabilizojë vendet dhe t’i rrisë gjasat për konflikt.
Në një studim të publikuar në revistën mjekësore “Lanset” bëhet e ditur se uljet e financimit të USAID-it mund të rezultojnë me më shumë se 14 milionë raste të vdekjes gjatë pesë vjetëve të ardhshme, duke përfshirë rreth pesë milionë fëmijë nën moshën pesëvjeçare.
Sekretari shtetëror amerikan, Marko Rubio në korrik publikoi fundin zyrtar të ndihmës së huaj përmes Agjencisë së SHBA-së për zhvillim ndërkombëtar (USAID).
USAID-i është një nga organizatat më të mëdha humanitare në botë e cila udhëhoqi programe të shumta përgjatë gjithë botës – nga ndihma për luftë kundër HIV/SIDA deri në rimëkëmbjen pas konflikteve.
Gjermania, gjithashtu, e uli buxhetin për ndihmë për zhvillim, si pjesë e masave për kursim.
Në dhjetor të vitit 2024, UNICEF-i publikoi se në vitin 2025 do t’i nevojiten rreth 9,9 miliardë dollarë për ndihmë urgjente për 109 milionë fëmijë në 146 vende të goditura nga konflikte dhe kriza.



