Safit Zeqiri
Në dukje, demokracia vazhdon të funksionojë për zgjedhje, parti, parlamente, fjalime politike. Por prapa skenës, gjithnjë e më shumë po shfaqet një realitet tjetër ku vendimet e vërteta nuk merren më nga populli, por nga qendra të padukshme pushteti. Ky është paralajmërimi sikur po shifet drejt fundit se demokracia klasike mund të jetë vetëm një fasadë. Shenjat janë të qarta, sepse fuqizimi i korporatave shumëkombëshe që kontrollojnë tregjet, energjinë dhe madje informacionin, fuqitë e mëdha që po ringjallin modelin e ndikimit imperial dhe teknologjia, e cila në vend se të lëshojë hapësirë për liri, po bëhet armë për mbikëqyrje totale. Këto zhvillime na shtyjnë drejt një dileme historike, a po kthehemi në epokën e perandorive moderne, ku pak shtete të fuqishme diktojnë rregullat për gjithë botën? Apo ndoshta po lind një sistem i ri global, një përzierje mes teknologjisë, kapitalit dhe autoritarizmit, që do të kontrollojë çdo aspekt të jetës sonë. Demokracia, ashtu siç u shpall model universal pas rënies së murit të Berlinit, duket se nuk po i mbijeton krizave të brendshme. Dezinformimi, rënia e besimit te institucionet dhe ndarja e thellë sociale janë vetëm simptomat, që në realitet, po ndodh një transformim më i thellë, ndoshta ndërtimi i një rendi të ri, i cili nuk e shpall veten me flamuj dhe himne, por me rrjete financiare, teknologji të padukshme dhe aleanca që nuk dalin kurrë në dritë. Historia na mëson se perandoritë bien dhe ngrihen. Pyetja është: a do të jemi dëshmitarë të ngritjes së një “perandorie digjitale” që e shkel demokracinë, apo do të lindë një model i panjohur i organizimit global, përtej mbretërive, përtej republikave, përtej vetë demokracisë? Nëse nuk e kuptojmë këtë ndryshim tani, rrezikojmë që zgjuarjen ta bëjmë tepër vonë – atëherë kur demokracia të mos jetë më, e kur rendi i ri të jetë bërë tashmë realitet.



