Zeqirija Ibraimi, një nga liderët e VLEN në emisionin “Hajde flasim” në TV21 ka folur edhe për atë se pse VLEN nuk bëhet një parti politike.
Arsyet më të fuqishme sipas tij janë juridike dhe se brenda radhëve të tyre nuk ka ndonjë betejë për bajraktarizëm.
“Nuk ka se ka ndonjë betejë për bajraktarizëm, së paku nga unë, nuk kam asnjë problem që z. Mexhiti apo z. Kasami të jetë kryetar, pasi politikën nuk e shoh përmes emrave të përveçëm, por shumë është e rëndësishme të merremi vesh se cila është rruga të cilën ne shkojmë bashkë dhe VLEN t’u prijë shqiptarëve”, tha Ibraimi.
Sipas tij është e qartë rruga, kemi subjekte siç shton që kanë ideologjitë e veta, programet e veta, por ne i kemi unifikuar ato pika që i kemi të përbashkëta.
“Andaj kjo kërkon edhe një debat tjetër për t’i rrafshuar dallimet që kemi që VLEN të bëhet më homogjen dhe të mund të marrë frymë si një subjekt i përbashkët”, ka thënë mes tjerash Ibraimi.



