Kandidati për kryetar të komunës së Çairit, Bujar Osmani, sot së bashku me arkitektin me famë botërore nga Meksika, Michel Rojkind, prezantoi vizionin e tij të madh urbanistik me titull “Vizioni Çair 2040”, një plan strategjik që premton rilindje të plotë të Çairit dhe përfshirjen e tij ndër qendrat më të mëdha urbane në botë.
“Nëse shihni, ne nuk ofrojmë vetëm një program parazgjedhor, ne ofrojmë të ardhmen. Vizioni për Çairin 2040 e tejkalon kornizën e mandateve politike dhe paraqet një marrëveshje shoqërore me qytetarët,” deklaroi Osmani.
Me këtë plan, Çairi i bashkohet radhës së projekteve vizionare urbane, së bashku me Mexico City, Kopenhagenin dhe metropole të tjera botërore. Vizioni parasheh zgjidhje moderne për problemet më të mprehta – nga rregullimi i kaosit të trafikut dhe përballja me dendësinë asimetrike, deri te ndalimi i ndërtimeve pa leje dhe krijimi i një mjedisi urban të rregulluar e të qëndrueshëm.
“Vizioni ynë do t’u përgjigjet pyetjeve kyçe të qytetarëve. Çdo hap që do të ndërmarrim do të jetë pjesë e një strategjie që nuk përfundon me një mandat, ajo sheh përpara, deri në vitin 2040,” theksoi Osmani.



