Presidenti amerikan, Donald Trump, u ka bërë thirrje të gjitha shteteve të NATO-s që të ndalin blerjen e naftës ruse, duke thënë se një veprim i tillë do të ndihmonte në dhënien fund të konfliktit vdekjeprurës në Ukrainë.
Kjo deklaratë vjen vetëm një ditë pasi NATO-ja nisi një operacion të ri ushtarak, të quajtur Roja Lindore, që tha se është e dizajnuar për të forcuar mbrojtjen e krahut lindor të aleancës në përgjigje të inkursionit rus me dronë në hapësirën ajrore polake më herët gjatë kësaj jave.
Trump propozoi që shtetet e NATO-s të vendosin tarifa dytësore nga 50-100 për qind ndaj Kinës për blerjen e benzinës ruse, duke sugjeruar se tarifa të tilla do të hiqeshin kur lufta të përfundonte.
Presidenti amerikan po ashtu shtoi se është i gatshëm të vendosë sanksione “të mëdha” ndaj naftës ruse nëse shtetet e NATO-s e bëjnë të njëjtën gjë.
Turqia është blerësja e tretë më e madhe në botë e naftës ruse, ndërkaq Hungaria dhe Sllovakia vazhdojnë të blejnë naftë ruse, kryesisht përmes naftësjellësit Druzhba, në bazë të një përjashtimi të bërë nga Bashkimi Evropian.
Ndryshe, operacioni i ri i NATO-s, Roja Lindore përfshin dislokimin e pajisjeve ushtarake nga disa aleatë të NATO-s për të penguar agresionin e mëtejmë rusë dhe për të rritur mbrojtjen kolektive përgjatë kufirit lindor.
“Çelësi për këtë është një dizajn krejtësisht i ri mbrojtjeje”, tha gjenerali amerikan Alexus Grynkewich, komandanti suprem i NATO-s për Evropën, në një konferencë të përbashkët për shtyp me shefin e NATO-s, Mark Rutte, në Bruksel më 12 shtator.
Grynkewich tha se pajisjet e reja do të përfshijnë avionët luftarakë francezë Rafale, F-16 danezë, një fregatë dhe sisteme tokësore të mbrojtjes që më parë ishin zotuar se do të dërgoheshin në rajon.
Ai u tha gazetarëve se aleanca ushtarake do të mbrojë çdo centimetër të territorit të saj.



