Një gjykatës federal në SHBA dje vendosi se administrata e presidentit Donald Tramp në mënyrë të paligjshme i ngriu grantet me vlerë prej rreth 2,2 miliardë dollarë të destinuara për Universitetin e Harvardit dhe se nuk mund të ndërpresë më financimin e kërkimeve të institucionit prestigjioz nga Liga Ivy.
Vendimi i gjyqtares Allison Barous në Boston përfaqëson një fitore të madhe ligjore për Harvardin, i cili aktualisht po përpiqet të arrijë një marrëveshje që mund t’i japë fund konfliktit midis Shtëpisë së Bardhë dhe universitetit më të vjetër dhe më të pasur në vend.
Institucioni me seli në Kembrixh, Masaçusets, është bërë një fokus qendror i fushatës së administratës për të përdorur financimin federal për të imponuar ndryshime në universitetet amerikane, të cilat, sipas Trampin, janë nën ndikim të ideologjive antisemite dhe “të majta radikale”.
Tre universitete të tjera nga Liga Ivy kanë arritur tashmë marrëveshje me autoritetet, përfshirë Universitetin e Kolumbias, i cili në korrik pranoi të paguajë 220 milionë dollarë për të fituar përsëri financim federal për kërkime shkencor. Financimi ishte pezulluar më parë për shkak të akuzave se universiteti ka lejuar përhapjen e antisemitizmit në kampus.
Ngjashëm me rastin e Kolumbias, administrata e Trampit ka ndërmarrë veprime edhe kundër Harvardit në lidhje me lëvizjen protestuese pro-palestineze që përfshiu kampusin dhe universitete të tjera.



