Sot Gjykata Kushtetuese pritet të nxjerrë vendim lidhur me bllokadën e krijuar në Kuvendin e Kosovës.
Më 26 korrik ka përfunduar afati i vendosur nga Kushtetuesja për konstituimin e Kuvendit. Pas kësaj, Gjykata vendosi një masë të përkohshme që nuk i lejoi deputetët të marrin asnjë veprim për konstituimin e Kuvendit për dy javë, deri më 8 gusht.
Për bllokadën në Kuvend në Kushtetuese janë deponuar tri kërkesa, një nga presidentja Vjosa Osmani, një nga Partia Demokratike e Kosovës dhe një nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Osmani këtë javë e ka tërhequr kërkesën, meqë gjykata për këtë lëndë e ka caktuar gjyqtar raportues Radomir Labanin. Sipas Osmanit, në bazë të informacioneve të institucioneve të sigurisë, gjyqtari serb përbën rrezik për rendin kushtetues të Kosovës.
Deputetët e zgjedhur në zgjedhjet e 9 shkurtit kanë dështuar ta konstituojnë Kuvendin në dhjetëra vazhdime të mbajtura çdo 48 orë të seancës konstituive që ka nisur më 15 prill.



