Zgjedhjet lokale 2025 do të mbahen më 19 tetor, ndërsa raundi i dytë, do të zhvillohet më 2 nëntor. Kuvendi pritet t’i shpallë zgjedhjet më së voni deri të shtunën.
21.000 punonjës të administratës publike do të përzgjidhen rastësisht deri në fund të gushtit për të shërbyer në mbi 3.500 vendvotime. Ata do të trajnohen gjatë muajit shtator dhe do të pajisen me manuale pune.
Ndërkohë, partitë më të votuara në zgjedhjet e fundit – VMRO-DPMNE, LSDM, BDI dhe VLEN – duhet të propozojnë edhe 14.000 anëtarë të tjerë për komisionet e vendvotimeve, pasi mandati i përbërjes aktuale ka përfunduar.
Komisionet Komunale Zgjedhore do të mbesin në përbërjen aktuale, pasi mandati i tyre zgjat edhe një vit. Ato do të kenë rol kyç në verifikimin e listave të kandidatëve dhe shqyrtimin e ankesave lidhur me të drejtën e votës.
Një ndër fazat më të rëndësishme është verifikimi i Listës Zgjedhore, që nis 15 ditë pas shpalljes së zgjedhjeve dhe zgjat për 20 ditë. Gjatë kësaj periudhe, qytetarët mund të kontrollojnë të dhënat e tyre dhe të kërkojnë korrigjime – si online, ashtu edhe nëpërmjet zyrave rajonale. Lista përfundimtare do të publikohet pas këtij procesi.
Buxheti i parashikuar për zgjedhjet lokale është 9,76 milionë euro. Pjesa më e madhe e shpenzimeve do të shkojë për reklamim politik në media, ndërsa fondet tjera do të mbulojnë pagesat e komisionerëve, transportin dhe logjistikën e materialit zgjedhor. Një pjesë të shpenzimeve do ta mbulojnë edhe vetë komunat. KSHZ ka paralajmëruar masa për kursim dhe efikasitet aty ku është e mundur.



