OpenAI, kompania që qëndron pas zhvillimit të ChatGPT, është në bisedime me investitorë për një raund të ri shitjeje aksionesh, që mund ta çojë vlerësimin e saj në 500 miliardë dollarë – duke e bërë kështu grupin privat më të vlefshëm të teknologjisë në botë, përpara SpaceX të Elon Musk, që aktualisht vlerësohet në rreth 400 miliardë dollarë.
Aktualisht, OpenAI është në fazën përmbyllëse të një raundi financimi prej 40 miliardë dollarësh, i udhëhequr nga gjiganti japonez i investimeve SoftBank, i cili e vlerëson kompaninë në 300 miliardë dollarë. Por sipas burimeve pranë kompanisë, OpenAI ka nisur tashmë diskutimet me investitorë si Thrive Capital për një vlerësim të ri, pothuajse dyfish më të lartë.
As OpenAI dhe as Thrive Capital nuk kanë pranuar të komentojnë mbi këto zhvillime.
Këto bisedime, të raportuara fillimisht nga Bloomberg, janë një tjetër tregues i interesit të jashtëzakonshëm që po gjeneron inteligjenca artificiale, duke krijuar një mjedis të paparë financimi për kompanitë që ndërtojnë apo përdorin këtë teknologji. Investitorët po nxitojnë të pozicionohen te start-up-et më premtuese, me shpresën se kompania dominuese në këtë fushë do të arrijë vlera prej triliona dollarësh.
Konkurrenti më i afërt i OpenAI, kompania Anthropic, ka katërfishuar të ardhurat e saj vjetore të përsëritshme në 4 miliardë dollarë këtë vit dhe është në bisedime për të siguruar të paktën 5 miliardë dollarë në një tjetër raund financimi që do ta vlerësonte atë në 170 miliardë dollarë.
Të dy kompanitë, megjithatë, vazhdojnë të punojnë me humbje, për shkak të kostove shumë të larta që kërkohen për trajnim dhe operim të modeleve më të avancuara të inteligjencës artificiale.
Ndërkohë, kompanitë më të mëdha të teknologjisë kanë fituar qindra miliarda dollarë në kapitalizim tregu në ditët e fundit, pas zotimeve për të investuar më shumë në këtë fushë.
Gara për klientë është e ashpër, ndërsa kompanitë ofrojnë mjete që gjenerojnë tekst, kod apo imazhe nga kërkesat e përdoruesve.
Të martën, Anthropic njoftoi përmirësime të reja në një nga modelet e saj kryesore, që rrisin ndjeshëm performancën në programim, ndërsa OpenAI publikoi modele “open-weight” që janë të aksesueshme falas dhe mund të përshtaten nga zhvilluesit. Gjithashtu, pritet që gjatë këtij muaji OpenAI të lançojë modelin shumë të përfolur GPT-5.



