Washington D.C. – Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, ka njoftuar sot nga selia qendrore e organizatës “Sister Cities International” për anëtarësimin zyrtar të Komunës së Çairit dhe Komunës së Tetovës në këtë rrjet prestigjioz ndërkombëtar të diplomacisë qytetare.
Marrëveshja u formalizua gjatë vizitës zyrtare që kryetari Ganiu po zhvillon në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt rritjes së rolit ndërkombëtar të komunave shqiptare në Maqedoninë e Veriut.
Përmes këtij anëtarësimi, Komuna e Çairit do të ketë mundësi të shumta bashkëpunimi dhe përfitime konkrete, përfshirë:
Ndërtimin e partneriteteve të qëndrueshme me pushtete lokale në mbarë botën;
Përfshirjen e të rinjve dhe institucioneve arsimore në programe ndërkombëtare shkëmbimi;
Promovimin e trashëgimisë kulturore, turizmit dhe zhvillimit ekonomik;
Qasje në trajnime profesionale, burime dhe mbështetje institucionale;
Rritjen e profilit të komunës në skenën ndërkombëtare përmes diplomacisë qytetare.
Kryetari Ganiu theksoi se ky zhvillim hap rrugën për ndërlidhje më të thellë me rrjete globale dhe përforcon rolin e Çairit si një aktor aktiv në proceset bashkëkohore të bashkëpunimit ndërkombëtar lokal.



