Komisioni parlamentar për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve sot përcaktoi vendimin Faton Selami të propozohet për Avokat të ri të popullit, në vendin e Naser Ziberit, i cili doli në pension. Komisioni do t’ia përcjellë propozim-vendimin Kuvendit dhe pritet të votohet sonte në seancë plenare.
Kryetari i Komisionit, Gjorgija Sajkoski, informoi se në shpalljen për zgjedhjen e Avokatit të popullit janë paraqitur 17 kandidatë – Ylber Rufati nga Kërçova, jurist i diplomuar dhe magjistër i shkencave juridike, Muhamed Hodai nga Tetova, jurist i diplomuar me provim të dhënë të jurisprudencës, Alban Kadriu nga Tetova, jurist i diplomuar, magjistër me provim të dhënë të jurisprudencës, Mile Arsenievski nga Shkupi, jurist i diplomuar me provim të dhënë të jurisprudencës, Svetisllav Jovanovski nga Kumanova, jurist i diplomuar, Faton Selami nga Tetova, jurist i diplomuar, magjistër i shkencave juridike me provim të dhënë të jurisprudencës dhe noterisë, Shemshi Sallai, nga fshati Dobërdoll. Komuna e Vrapçishtit, jurist i diplomuar dhe magjistër i shkencave juridike , Fehmi Stafa nga Shkupi, jurist i diplomuar me provim të dhënë të jurisprudencës dhe provim të noterisë, Doan Sulejmanovski nga Prilepi, jurist i diplomuar dhe magjistër i së drejtës penale me provim të dhënë të jurisprudencës, Nikollçe Petkovski nga Shkupi, jurist i diplomuar i specialist i shkencave juridike me provim të dhënë të jurisprudencës, Feuzi Xhaferi nga Gostivari, jurist i diplomuar dhe magjistër i diplomacisë, jurist, Driton Nebiu nga Shkupi, jurist i diplomuar dhe magjistër i të drejtave të njeriut dhe demokracisë, Shpend Fidani nga fsh. Dobërdoll, Komuna e Vrapçishtit, jurist i diplomuar dhe magjistër i së drejtës penale me provim të dhënë të jurisprudencës dhe noterisë, Fatmir Emrullau nga fshati Strellc, Kërçovë, jurist i diplomuar me provim të dhënë të jurisprudencës dhe punon si avokat në zyrën e tij të avokatit, Ilir Ramadani nga Kërçova, jurist i diplomuar dhe magjistër i shkencave juridike, Emran Ismail, jurist i diplomuar dhe magjistër i së drejtës ndërkombëtare me provim të dhënë të jurisprudencës dhe Fadil Xhelili, jurist i diplomuar dhe magjistër i shkencave juridike me provim të dhënë të jurisprudencës, punon si avokat në zyrën e tij të avokatit.
Bekim Qoku, deputet nga Koalicioni VLEN, propozoi Faton Selamin si kandidat për Avokat të popullit. Qoku theksoi se Selami është nga Tetova, i martuar dhe baba i tre fëmijëve. Ai theksoi se ka mbaruar Fakultetin Juridik në Universitetin e Tetovës dhe studimet pasdiplomike në Universitetin e Evropës Juglindore. Theksoi se ka një përvojë të gjatë pune në fushën e mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave të njeriut. Ka punuar në Agjencinë e Informacioneve, deri në vitin 2008 ka punuar në Komisionin për mbrojtjen e të drejtave të qasjes së lirë në Informacione me karakter publik. Prej tetorit të vitit 2008 është i punësuar në zyrën e Avokatit të popullit në Shkup. Në vitin 2018 është emëruar sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Drejtësisë dhe që nga viti 2020 është i punësuar në njësinë rajonale të Ministrisë së Drejtësisë në Tetovë. Nga viti 2023 ka punuar si Udhëheqës i Njësisë së sistemit politik në Ministrinë e Drejtësisë. Qoku theksoi se Selami plotëson të gjitha kushtet dhe kriteret që lidhen me këtë post dhe kërkoi mbështetje për të votuar propozimin e tij.
Deputetja e LSDM-së Sanja Llukarevska theksoi se në të ardhmen, për poste të tilla kyçe të ndjeshme, duhet të përcaktojnë dhe detektojnë të gjitha këto situata më herët dhe të ketë proces transparent, me kohë për të informuar edhe qytetarët edhe deputetët.
“Ka qenë e ditur hyrja në fuqi të kushteve të pensionit më 12 korrik dhe mundesim të fillonim të gjithë procedurën të paktën një muaj para kësaj dhe në bazë të kësaj të mos hynim në cajtnot dhe të mbetemi pa Avokat të popullit. Pavarësisht nëse në përputhje me ligjin kemi detyrim apo nuk kemi detyrim për të intervistuar këta 17 kandidatë, megjithatë do të ishte akoma shumë më transparente dhe më adekuate për publikun nëse do të kishim një debat publik përmes prezantimit të tyre për të parë si vizionin ashtu edhe misionin dhe kornizën dhe strategjinë e tyre se si mendojnë të funksionojnë këta kandidatë. Konsideroj se për momentin nuk kemi transparencë përkatëse, por përmes trupit e kemi shtyrë gjithë këtë procedurë. Në të ardhmen, për funksione të tilla kyçe të ndjeshme, duhet të përcaktojmë dhe detektojmë të gjitha këto kushte më herët dhe të kemi një proces transparent, me kohë në mënyrë që të jenë të informuar qytetarët, por edhe ne si deputetë”, tha Llukarevska.
Sajkoski theksoi se Kuvendi nuk ishte informuar se Avokati i popullit i plotëson kushtet për pension pleqërie dhe për këtë arsye menjëherë pas marrjes së informacionit se mandati i tij skadon në bazë të daljes në pension, ata bënë çdo përpjekje për të filluar procedurë për zgjedhjen e Avokatit të popullit.



