Shkruan: Xhelal Neziri
Qytetarët e Maqedonisë së Veriut prej kohësh jetojnë në një gjendje të fushatës së përhershme. Nuk ka pothuajse asnjë ndarje të qartë. Fushata për zgjedhjet lokale filloi menjëherë pas atyre parlamentare vitin e kaluar. Gjatë kësaj kohe, rëndësia më e madhe i jepet PR-it, pra krijimit të perceptimeve në përputhje me qëllimet partiake, dhe jo punës reale në terren. Kjo mëton krijimin e një realiteti të simuluar që u përshtatet interesave të partive, por që shkon në dëm të zgjidhjes së problemeve reale të qytetarëve. E thjeshtëzuar kjo do të thotë se ne, realisht, jetojmë në një kaos të krijuar nga paaftësia e pushtetit lokal, ndërkohë që promovimi agresiv i asfaltimit të një rruge lokale na krijon një pamje të simuluar për një komunë që po ecën drejt përsosmërisë.
Simulimi është imitim i realitetit. Sipas Zhan Bordijar, simulimi është një koncept që përshkruan situatën në të cilën dallimi ndërmjet realitetit dhe imitimeve të tij bëhet i pakuptueshëm ose zhduket krejtësisht. Ai thotë se në shoqërinë moderne, jo vetëm që jetojmë në një botë imazhesh dhe simbolesh, por këto simbole bëhen më reale se vetë realiteti. Madje, Bordijar thotë se shpesh imtohet një realitet i imagjinar apo i pavërtetë, një proces që ai e quan simulakër. Sipas tij, ne jetojmë në një botë të dominuar nga simulakra: imazhe, media dhe performanca që nuk kanë asnjë lidhje me të vërtetën, por që megjithatë pranohen si të vërteta.
Kështu, për vite me radhë te ne është simuluar një realitet i rremë për militantët partiakë, i cili më pas prodhon polarizime të dëmshme. Pikërisht në këto çarje të shoqërisë, të shkaktuara nga polarizimi, buron fuqia bindëse e partive, e cila i kthen votuesit në shënjestër të lehtë.
Ironia qëndron në faktin se në këtë operacion të manipulimit të qytetarëve, kryetarët e komunave përdorin pikërisht paratë e këtyre qytetarëve. Ata keqpërdorin resurset shtetërore për vetëpromovim, që është pjesë e një fushate të nisur përpara kohe. Shkojnë aq larg, saqë të bëjnë të besosh se projektet që i promovojnë janë paguar nga xhepi i tyre ose nga arka e partisë.
Për të forcuar simulimin, rrugët dhe ndërhyrjet e tjera infrastrukturore qëllimisht shtyhen dhe lëshohen në përdorim para zgjedhjeve. Ndërkohë, qytetarët përballen me kaos në trafik, ndërsa bizneset pësojnë humbje të mëdha.
Jo vetëm rrugët, por edhe problemet e tjera komunale grumbullohen me qëllim që të fillohet me zgjidhje manipuluese në prag të zgjedhjeve. Gjithçka është PR, gjithçka është fushatë parazgjedhore, gjithçka është në funksion të simulimit të një realiteti ndryshe nga ai që në të vërtetë po e jetojmë.
Edhe në këto zgjedhje do të shohim shumë politikanë me gërshërë në dorë, me prerje shiritash dhe fjalime solemne. Çështja nëse qytetarët kanë kapacitetin për ta dalluar realitetin e vërtetë pas perdes së realitetit të simuluar. Nëse jo, atëherë fushata e parakohshme do të mbetet gjendje e përhershme, ndërsa politika reale vetëm një statist në këtë teatër.



