Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh shqetësimin e thellë për drejtimin që ka marrë qeveria e re dhe për përpjekjet e saj të qëllimshme për të defokusuar opinionin publik nga temat me rëndësi strategjike për vendin, e në veçanti nga integrimi evropian.
Jemi dëshmitarë se gjatë ditës së djeshme, vetë Kryeministri Hristijan Mickoski e pranoi hapur se propozimi për tatimin ndaj personave të pamartuar ishte një temë “e hedhur” për të krijuar debat, pra një mjet i qëllimshëm për të shmangur vëmendjen nga çështjet reale dhe urgjente me të cilat përballet vendi.
E vërteta është se Maqedonia e Veriut po izolohet gjithnjë e më shumë. Këtë e konfirmon edhe raporti i fundit i Parlamentit Europian, në të cilin theksohet stagnimi i vendit në rrugën drejt integrimit, ndikimi i shtuar i Rusisë dhe i konceptit të “botës serbe” në politikat e brendshme të shtetit, si dhe mungesa e progresit demokratik.
Është e qartë se ndikimi rus dhe ai i konceptit serbomadh kanë për qëllim që Maqedoninë e Veriut ta mbajnë të izoluar, larg Bashkimit Europian dhe vlerave perëndimore. Brenda këtij skenari, pjesë përbërëse është edhe përjashtimi sistematik i shqiptarëve nga institucionet, nga vendimmarrja dhe nga jeta publike.
Kjo qeveri, në vend që të jetë faktor i bashkimit, po zbret drejt një plani të rrezikshëm, që synon përçarjen ndëretnike, margjinalizimin e shqiptarëve dhe zbehjen e orientimit euroatlantik të vendit.
BDI do të vazhdojë të qëndrojë fuqishëm në mbrojtje të interesave euroatlantike të qytetarëve dhe të vendit, duke kundërshtuar çdo përpjekje për izolim, defokusim apo përjashtim.



