BallinaLAJMEMaqedoniTripunovski: Përmes një pako masash stimulojmë të rinjtë të rikthehen në procesin...

Tripunovski: Përmes një pako masash stimulojmë të rinjtë të rikthehen në procesin bujqësor

“Për shkak të politikave të gabuara në të kaluarën, sot kemi migrim të të rinjve nga fshati drejt qytetit, ata po e braktisin procesin bujqësor. E gjithë kjo ndodh sepse shohin që familjet e tyre gjatë prodhimit bujqësor nuk kanë rentabilitet”, theksoi ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Cvetan Tripunovski, në intervistën javore për “Radion Evropa e Lirë”.

“Përmes Ligjit të ri për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, i cili përbën themelin e prodhimit bujqësor, po punojmë në vendosjen e rregullave të lojës. Në ligj ka disa kapituj, ndër të cilët është edhe rregullimi i tregut, blerja e produkteve bujqësore, subvencionet dhe të tjera. Pikërisht aty është pjesa që përcakton drejtimet në të cilat do të lëvizim”, sqaroi ministri.

Ai shtoi se Ministria po punon në përfshirjen e fuqisë së re të të rinjve në sektorin bujqësor.

“Gjatë periudhës së kaluar kemi shpallur një sërë thirrjesh publike ku i bashkëfinancojmë të rinjtë deri në moshën 40-vjeçare. Njëra nga thirrjet ishte e ashtuquajtura masë për bujkun e ri, ku jepen grante deri në 10.000 euro. Për më tepër, u shpallën dy thirrje publike për shpërndarjen e tokës bujqësore ku përparësi kishin të rinjtë”, theksoi ministri.

Ministri Tripunovski theksoi se janë në vijim thirrjet publike për modernizimin e bujqësisë, blerjen e traktorëve dhe mekanizmave bujqësorë të bashkangjitur. Ministria ka shpallur edhe një thirrje publike për shitje nga pragu i shtëpisë. Këto janë masa ku përparësi në aplikim kanë të rinjtë.

“Në Ligjin për Bujqësi dhe Zhvillim Rural propozojmë që çiftet e reja të martuara të cilët vendosin të kthehen në fshat me një plan biznesi, t’i ndihmojmë”, shtoi Tripunovski.

Lajme te lidhura

spot_img