Ushtrimet fizike për pacientët me kancer të zorrës së trashë mund të ulë me rreth 33% rrezikun e vdekjes, sipas një studimi të madh ndërkombëtar, i publikuar së fundmi në revistën prestigjioze ‘New England Journal of Medicine’.
Studiuesit theksojnë se nuk bëhet fjalë për regjim të rëndë aktiviteti; çdo lloj ushtrimi, nga noti te kërcimi salsa, mund të ketë ndikim pozitiv.
Këto zbulime pritet të ndryshojnë mënyrën si trajtohet kanceri i zorrës së trashë në mbarë botën, ndërsa tashmë po shqyrtohet nëse programe të ngjashme mund të përmirësojnë mbijetesën edhe për pacientë me forma të tjera kanceri, përfshirë kancerin e gjirit.
“Është një ndryshim i mënyrës së të menduarit, të trajtosh sëmundjen jo vetëm me ilaçe, por edhe me veprim,” thotë profesorja Vicky Coyle nga Universiteti Queen’s në Belfast, pjesë e ekipit hulumtues.
Programi 3-vjeçar i ushtrimeve filloi menjëherë pas përfundimit të kimioterapisë. Qëllimi ishte që pacientët të angazhoheshin në të paktën dyfishin e nivelit të aktivitetit të rekomanduar për popullatën e përgjithshme.
Kjo do të thotë rreth 3-4 seanca ecjeje të shpejtë në javë, secila 45 deri në 60 minuta. Për gjashtë muajt e parë, pjesëmarrësit morën mbështetje individuale javore nga trajnerë të specializuar, e më pas kjo u reduktua në takime mujore.
Në studim morën pjesë 889 pacientë, gjysma ndoqën programin e ushtrimeve, ndërsa të tjerëve iu shpërndanë materiale informuese për një stil jetese të shëndetshëm.
Rezultatet pas pesë vitesh treguan se:
-80% e pacientëve që ushtronin mbetën pa rikthim të sëmundjes, krahasuar me 74% në grupin tjetër
-Kjo përfaqëson një ulje prej 28% të rrezikut që kanceri të rikthehet ose të shfaqet një formë e re
-Pas tetë vitesh nga trajtimi fillestar: vetëm 10% e pacientëve në programin e ushtrimeve kishin ndërruar jetë, krahasuar me 17% në grupin tjetër
-Kjo do të thotë një ulje prej 37% të rrezikut të vdekjes
Shkencëtarët ende nuk e kuptojnë saktësisht pse aktiviteti fizik ka këtë ndikim, por dyshimet përfshijnë efektet e tij mbi hormonet e rritjes, inflamacionin në trup dhe funksionin e sistemit imunitar.
Dr. Joe Henson nga Universiteti i Leicesterit e quajti këtë studim “të jashtëzakonshëm”.
“Kam parë nga afër se si ushtrimet ndihmojnë në reduktimin e lodhjes, përmirësimin e humorit dhe forcimin e trupit fizik. Aktiviteti fizik ndikon në disa procese biologjike kyçe që mund të shpjegojnë këto rezultate”, tha ai.
Kanceri i zorrës së trashë është forma e katërt më e përhapur e kancerit në Mbretërinë e Bashkuar, me rreth 31,800 raste të reja çdo vit.
Caroline Geraghty nga organizata Cancer Research UK tha: “Ky studim ka potencialin të transformojë praktikën klinike, por kjo kërkon që shërbimet shëndetësore të kenë burimet dhe stafin e nevojshëm për ta bërë realitet për pacientët.”



