Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve Fatmir Limani informon se qytetarët – përfitues të të drejtave nga sistemi i mbrojtjes sociale të cilët janë të liruar nga participimi në shfrytëzimin e kujdesit shëndetësor, mund t’i ushtrojnë lirisht të drejtat e tyre pa pasur nevojë ta dëshmojnë këtë me vërtetim nga qendra për punë sociale.
Ky grup përfshin:
– personat e siguruar me aftësi të kufizuara, sipas rregulloreve për mbrojtjen e fëmijëve dhe mbrojtjen sociale;
– përfituesit e asistencës minimale të garantuar, të cilët janë persona të paaftë për punë dhe përfitues të mbrojtjes jashtë-familjare, sipas rregulloreve të mbrojtjes sociale;
– përfituesit e kompensimit për ndihmë dhe përkujdesje nga një person tjetër që nuk mbulohet ndryshe nga sigurimi shëndetësor;
– përfituesit e sigurimit social për të moshuarit;
– përfituesit e së drejtës për një shtesë të posaçme.
Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve vazhdon të avokojë në vazhdimësi për avancimin e të drejtave të të gjithë qytetarëve pa përjashtim, me theks të veçantë për personat e kategorive të cenueshme.



