BallinaNë fokusKULTURA DHE DREJTËSIA: ARMËT E PADUKSHME PËR NË BRUKSEL

KULTURA DHE DREJTËSIA: ARMËT E PADUKSHME PËR NË BRUKSEL

Safit Zeqiri

Nëse do të kishim vetëm një mundësi për të hyrë në Bashkimin Evropian, a do ta shfrytëzonim atë? A do ta përdornim atë mundësi për të transformuar vendin tonë dhe për të krijuar një të ardhme më të sigurt për brezat që vijnë? Nga vështrimi i parë, duket se e gjithë rruga drejt Bashkimit Evropian matet me kapituj negociatash, dokumente teknike dhe afate reformash. Por në të vërtetë, për të hyrë në Evropë nuk mjafton vetëm përmbushja e kritereve formale. Duhet diçka më shumë — diçka që lidhet edhe me besueshmërinë e një shteti në sytë e botës. Këtu hyjnë në lojë dy armë të fuqishme dhe shpesh të nënvlerësuara: diplomacia kulturore dhe proceset e vettingut. Të dukshme dhe të padukshme njëkohësisht, të heshtura, por vendimtare. Diplomacia kulturore: Një fjalë e butë që hap dyert e mbyllura Kultura është një ndër mjetet më të fuqishme që ka një shtet i vogël për të treguar veten në botë. Nuk ka rëndësi sa të vogla janë territoret, sa të brishta janë ekonomitë: kur një vend multikulturor e multietnik di të tregojë shpirtin e tij përmes artit, historisë, vlerave dhe trashëgimisë, ai fiton simpatinë dhe respektin e të tjerëve. Në një Europë ku bashkëpunimi gjithnjë e më shumë ndërtohet mbi mirëkuptimin kulturor, jo vetëm mbi interesat politike, Maqedonia e Veriut ka në duar një mundësi të artë. Përmes kulturës, ne mund të flasim në gjuhën e përbashkët të artit, muzikës, trashëgimisë dhe vlerave njerëzore — dhe kjo gjuhë është shumë më e fuqishme se çdo komunikatë zyrtare. Vettingu: Pastrimi i nevojshëm për besimin e humbur Në anën tjetër qëndron realiteti i brendshëm. Një shtet nuk mund të ndërtojë ura jashtë, nëse brenda mban në këmbë institucione të korruptuara dhe të diskredituara. Proceset e vettingut nuk janë thjesht “moda” e re e reformave administrative. Ato janë një operacion thelbësor për të shpëtuar vetë idenë e shtetit ligjor. Pa një pastrim të vërtetë të administratës, pa një selektim të guximshëm të atyre që mbajnë poste publike, çdo tentativë për të avancuar drejt Evropës është e destinuar të dështojë. Për Maqedoninë e Veriut, vettingu është testi më serioz i sinqeritetit politik. Është dëshmia nëse vërtet duam një shtet europian — apo thjesht duam të dukemi si të tillë. Kombinimi që bën ndryshimin Diplomacia kulturore pa institucione të pastra është si një fasadë e bukur mbi një ndërtesë që rrënohet brenda. Ndërsa vettingu pa një diplomaci kulturore efektive është një përpjekje e heshtur që nuk përçohet dot përtej kufijve. Vetëm duke e ndërtuar këtë binom — kulturë për të ndërtuar imazh dhe vetting për të ndërtuar besueshmëri — mund të jemi të denjë për të qenë pjesë e familjes evropiane. Sepse Evropa nuk kërkon thjesht vende të reja në hartë, Ajo kërkon miq të rinj që ndajnë të njëjtat vlera dhe parime. Nuk mjafton vetëm të ndërrohen ministrat, po të rregullohet imazhi, si dhe jo vetëm të përmbushen kërkesat burokratike. Por duhet të ndërrohet mënyra si e kuptojmë shtetin dhe qytetarin. Nëse sot Maqedonia e Veriut vendos të investojë seriozisht në promovimin e vlerave të saj kulturore dhe në një pastrim të pakompromis të institucioneve, nesër ajo do të shkojë në Bruksel jo si një suplicant, por si një vend që ka çfarë të japë dhe çfarë të kërkojë. Evropa nuk na pret duarkryq. Por është e gatshme t’i hapë dyert atyre që e meritojnë. Ne vendosim vetë nëse duam të jemi midis tyre.

Lajme te lidhura

spot_img