Tarifa prej 10% e vendosur nga presidenti amerikan Donald Trump për produktet kosovare që shkojnë në SHBA, ka shkaktuar mospajtime në vend. Derisa në media u raportua se edhe Kosova ka një tarifë doganore prej 10 përqind për mallrat që vijnë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, presidentja e vendit Vjosa Osmani kërkoi nga Qeveria në detyrë që ta heqë taksën , shkruan Periskopi.
Osmani shkroi në X se me këtë vendim do të çohej mesazh se Kosova është për raport më të fortë me SHBA-në.
“Sot, zyrtarisht i kërkova Qeverisë së Kosovës që të pezullojë tarifat e importit për të gjitha produktet amerikane – një hap i rëndësishëm për të thelluar lidhjet ekonomike me aleatin tonë më të ngushtë dhe për të dërguar një mesazh të qartë: Kosova është e gatshme për një marrëdhënie më të fuqishme me Shtetet e Bashkuara, me një vizion të qartë që do t’i bënte të dyja vendet tona më të forta, më të sigurta dhe më të begata”, u shpreh ajo.
Kjo deklaratë e Osmanit u pasua edhe me shumë reagime nga liderët opozitarë si dhe shkaktoi polemika mes Presidencës dhe Qeverisë në detyrë.
Zyrtarë të Presidencës së Kosovës dhe të Qeverisë janë përplasur në rrjete sociale, pas njoftimit të presidentes Vjosa Osmani se ka kërkuar nga Qeveria që të pezullojë tarifat e importit për të gjitha produktet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Sot pas orarit të rregullt të punës, në lajme lexova që Presidentja e vendit i paska bërë kërkesë Qeverisë që të pezullojë tarifat ndaj produkteve me origjinë nga ShBA-të. Kërkesa në email ishte dërguar në adresë të Qeverisë në 17:39, ndërkaq kjo gjë ishte bërë publike në rrjetin social X në 17:42, veç 3 minuta më vonë”, ka shkruar ai në Facebook.
Menjëherë i është kundërpërgjigjur Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes. Tek ka thënë se Murati është personi i fundit në Kosovë që mund të flasë për seriozitet, Kupina e ka quajtur të turpshëm, skandaloz e mungesë respekti bazik institucional reagimin e Muratit.
Një thirrje të tillë e bëri edhe Këshilli i Marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane (Albanian American Relations Council – AARC) i cili i ka kërkuar Kosovës, Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut për të marrë masa proaktive duke pezulluar të gjitha tarifat për mallrat amerikane.
Ky këshill njëherësh ka përgëzuar presidenten Vjosa Osmani për lidershipin e saj në propozimin e menjëhershëm për të suspenduar tarifat në importet nga SHBA.
“Kjo nismë është një hap strategjik drejt thellimit të lidhjeve ekonomike me Shtetet e Bashkuara dhe përafrohet me objektiva më të gjera të politikës së jashtme. Ne inkurajojmë Qeverin e Kosovës të ecë përpara me miratimin dhe zbatimin e kësaj politike pa vonesë”.
E iniciativa e Osmanit nuk u la pa u përshëndetur edhe nga dy kongresmenët republikanë.
Carlos Gimenez dhe Keith Self kanë lavdëruar kërkesën e presidentes Vjosa Osmani drejtuar qeverisë për heqjen e tarifës ndaj importeve të produkteve të SHBA-së, duke theksuar se shembullin e Kosovës duhet ta ndjekë edhe Evropa.
“Faleminderit, zonja presidente! Kjo po pranohet mirë në Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë tjerë në Evropë duhet të ndjekin shembullin tuaj”, ka shkruar Gimenez në rrjetin social X.
Edhe kongresisti tjetër nga radhët e republikanëve, Keith Self, mirëpriti kërkesën e presidentes Osmani, duke thënë se ky është mësim i jashtëzakonshëm.
“Ky është një mësim i jashtëzakonshëm në lidership për partnerët tanë evropianë që duhet ta marrin parasysh”, është shprehur ai në X.
Edhe Hykmete Bajrami nga LDK, ka kërkuar nga qeveria që ta largojë taksen, ndaj produkteve të SHBA-së.
Bajrami në një prononcim për Periskopin ka thënë se nuk duhet të harrojmë asnjëherë se aleanca jonë me SHBA-të është me rëndësi të veçantë, prandaj edhe marrëdhëniet tona ekonomike duhet të trajtohen me kujdes.
“Tregtia e lirë sjell shumë përfitime për ekonominë dhe konsumatorët, duke përfshirë konkurrencën më të madhe, çmime më të ulëta, më shumë zgjedhje, inovacion dhe përmirësim të mirëqenies në përgjithësi. Mbi të gjitha ne nuk duhet të harrojmë asnjëherë se aleanca jonë me SHBA-të është me rëndësi të veçantë. Për këtë arsye, edhe marrëdhëniet tona ekonomike duhet të trajtohen me kujdes”, ka thënë Bajrami.



