Qendra e biznesit “Soravia”, e vendosur në qendër të Shkupit dhe e përfshirë kohët e fundit në një proces kontrovers të ndryshimit të strukturës së pronësisë, është vënë në shitje nga një përmbarues me kërkesë të një kreditori për ekzekutimin e një borxhi mbi 930 mijë euro.
Sipas dokumenteve të siguruara nga “Fokus”, ankandi publik do të mbahet më 24 prill, rreth 20 ditë pas shpalljes. Vlera fillestare e pasurisë së paluajtshme është caktuar në 1.377.978.526 denarë (rreth 22.4 milionë euro) dhe nuk mund të ulet gjatë ankandit të parë publik.
Për të marrë pjesë në ankand, ofertuesit duhet të paguajnë një garanci prej një të dhjetës së vlerës së përcaktuar të pasurisë, që është 137.797.853 denarë (rreth 2.2 milionë euro). Fituesi i ankandit është i detyruar të bëjë pagesën brenda 15 ditëve, përndryshe do të caktohet një shitje e re. Tatimet që rrjedhin nga shitja do të mbulohen nga blerësi.



