Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka bërë një deklaratë të fortë, duke thënë se Vladimir Putin “do të vdesë së shpejti” dhe se ky është një “fakt i pashmangshëm”.
Sipas The Sun, spekulimet mbi gjendjen shëndetësore të presidentit rus, i cili është 72 vjeç, janë shtuar ndjeshëm kohët e fundit.
Disa burime sugjerojnë se ai mund të vuajë nga kanceri apo Parkinsoni, pasi është vërejtur me simptoma si dridhje e duarve dhe këmbëve, fytyrë e ënjtur dhe të folur i paqartë. Megjithatë, Kremlini ka mohuar vazhdimisht këto pretendime.
Zelensky gjithashtu ka paralajmëruar se Putin “ka frikë nga shoqëria e tij” dhe se Rusia po përpiqet të destabilizojë Bashkimin Evropian nga brenda, duke përmendur si shembull qëndrimin pro-rus të Hungarisë. Kjo deklaratë vjen në një moment kritik, pasi liderët e BE-së po diskutojnë mënyrat për të ruajtur një front të bashkuar kundër agresionit rus.
Ndërkohë, Rusia ka vazhduar sulmet e saj të ashpra ndaj Ukrainës, pavarësisht përpjekjeve ndërkombëtare për një armëpushim të pjesshëm në Detin e Zi, të ndërmjetësuar nga SHBA. Presidenti francez Emmanuel Macron ka kritikuar Kremlinin për hipokrizi, duke e akuzuar se vazhdon të godasë objektiva civilë ndërsa deklaron se kërkon paqe.



