Rritja e kostove po i shtyn turistët gjetiu
Kroacia, një vend i njohur për vijën bregdetare dhe qytetet historike, po bëhet tepër e shtrenjtë për turistët.
Çmimet po rriten më shpejt se në Greqi, Spanjë dhe Itali, dhe zyrtarët dhe drejtuesit e bizneseve kanë frikë se turistët mund të zgjedhin oferta më të mira në vende të tjera, raporton agjencia N1.
Kryeministri Andrej Plenkovic ka paralajmëruar se çmimet konkurruese janë thelbësore për mbrojtjen e industrisë së turizmit kroat, sipas Etias.com.
Rriten çmimet e sektorit të turizmit
Në tre vitet e fundit, çmimet e turizmit në Kroaci janë rritur me rreth 50%, ndërsa në vendet e tjera të Mesdheut ka pasur rritje prej vetëm 15-20%.
Kështu, Kroacia është bërë më e shtrenjtë se konkurrentët kryesorë si Greqia dhe Spanja, duke ngritur shqetësime për çmimet.
Një problem në rritje për Kroacinë dhe destinacionet e tjera turistike: “Do të përkeqësohet”
Kostot më të larta në sektorin e hotelerisë kanë rritur edhe çmimet, duke bërë që të mos ndryshojë numri i net-qëndrimeve dhe të bien shpenzimet turistike.
Ndikimi është tashmë i dukshëm. Po vijnë më pak turistë nga tregjet kryesore si Gjermania, Republika Çeke, Austria dhe Italia. Verën e kaluar, të ardhurat e Kroacisë nga turizmi ndërkombëtar gjatë sezonit të pikut ranë me 0.7% krahasuar me një vit më parë.
Kristjan Stanicic, drejtor i Bordit Kombëtar të Turizmit në Kroaci, theksoi se shumë turistë tani kanë si përparësi vlerën që merret për paratë e shpenzuara.
Analiza e tij tregoi se për dy të tretat e tregjeve kryesore turistike të Kroacisë, kostoja është faktori më i rëndësishëm në vendimet e udhëtimit.
Ministri i Financave, Marko Primorac, qortoi industrinë e turizmit për rritjen e tepërt të çmimeve. “Duket se e keni tepruar”, tha.
Ai argumentoi se turizmi kroat nuk justifikon çmime më të larta se Greqia, Spanja apo Portugalia. Primorac vuri në dukje gjithashtu se taksapaguesit kroatë mbështesin turizmin nëpërmjet politikave tatimore, por shumë kroatë as nuk mund të përballojnë dot pushimet në vendin e tyre.
Ministri i Turizmit, Tonci Glavina, tha se viti 2025 do të jetë vendimtar për Kroacinë që ajo të mundësojë çmime më konkurruese. Ai hodhi poshtë idenë e një bojkoti të turizmit, por pranoi se uljet e çmimeve do të jenë të nevojshme për të tërhequr një numër të lartë vizitorësh.
Drejtuesit e industrisë së hotelerisë, thonë se rritja e çmimeve po shkaktohet nga rritja e pagave dhe inflacionit. Veljko Ostojić nga Shoqata Kroate e Turizmit, vuri në dukje se fitimet e hoteleve kanë rënë për shkak se kostot po rriten më shpejt se të ardhurat.
Ai shtoi se vitin e kaluar, çmimet e hoteleve në Kroaci u rritën me vetëm 1.9%, ndërsa në destinacionet e tjera të Mesdheut u rritën me 4.5%.
Shoqata Kroate e Akomodimit të Familjeve ka shprehur gjithashtu shqetësimin për tarifat e larta të platformave ndërkombëtare të rezervimit.
Disa drejtues të industrisë kanë këshilluar krijimin e një sistemi kombëtar për të ulur rezervimet në platformat ndërkombëtare.



