BallinaLAJMEMaqedoniVLEN: Ahmeti nga Likova konfirmoi se po përgatit bojkot të zgjedhjeve lokale

VLEN: Ahmeti nga Likova konfirmoi se po përgatit bojkot të zgjedhjeve lokale

“Pasi panë që shqiptarët nuk bien më pre e gënjeshtrave të tyre histerike dhe lajmeve të rreme, pasi u zbuluan me afera korruptive dhe lista të zeza, BDI po luan kartën e fundit! Ata nuk kanë më fuqi t’i manipulojnë njerëzit me tregimin e trilluar për ‘de-shqiptarizim’ dhe tani janë të gatshëm të bëjnë një tjetër tradhti politike ndaj popullit të tyre – të bojkotojnë zgjedhjet dhe të përpiqen të provokojnë tensione në ditën e votimit!” – thuhet në deklaratën e koalicionit VLEN.

Sipas tyre, “BDI e di që ka vetëm një mënyrë për të mos regjistruar edhe një humbje në bilancin e saj: kriza politike! Pikërisht për këtë arsye, prej kohësh po investojnë në perceptimin e rremë se shqiptarët nuk janë të përfaqësuar siç duhet, sepse BDI nuk është në Qeveri”.

“Por tani gjithçka është e qartë dhe nuk ka dilemë! Ali Ahmeti dje në Likovë e konfirmoi vetë: BDI po përgatit bojkot të zgjedhjeve lokale! Njëkohësisht, ai pranoi atë që ne e kemi thënë prej kohësh. Nisma për Ligjin mbi përdorimin e gjuhës shqipe në Gjykatën Kushtetuese është veza e gjarprit e BDI-së, me të cilën synojnë të përfitojnë politikisht duke dëmtuar VLEN-in. Ahmeti nuk ka më zgjidhje. Sondazhet e tyre ua konfirmojnë të vërtetën e hidhur – shqiptarët nuk duan më t’i votojnë! Autoriteti i Ali Ahmetit është lëkundur, sepse nga komandant i UÇK-së është shndërruar në peng të Artan Grubit. Të gjithë e dinë se BDI tani është një parti e korruptuar, ku disa individë u bënë milionerë, djemtë dhe vajzat e tyre u punësuan me paga të larta, ndërsa populli mezi mbijeton!” – thonë nga VLEN.

Ata theksojnë se “I ashtuquajturi ‘Fronti Europian’ i udhëhequr nga BDI tregoi fytyrën e vërtetë në kabinetin parlamentar numër 161! Për të hyrë në vend të VLEN-it në Qeveri, i ofruan VMRO-DPMNE-së katër ministri dhe iu dorëzuan plotësisht, vetëm për të shpëtuar veten! Shqiptarët tashmë e kuptojnë se BDI i përdor ata si mish për top, për të shmangur përballjen me drejtësinë!”.

“BDI mund të ikë nga zgjedhjet, por nuk mund të ikë nga gjykimi i popullit. Kësaj here, ndëshkimi do të jetë i ashpër – do t’i dërgojmë në histori politike!” – përfundon deklarata e VLEN.

Lajme te lidhura

spot_img