Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, pa konfirmuar se është arritur një pakt mes vendit të tij e Ukrainës për mineralet e rralla të shtetit evropian, ka thënë se ai pret që homologu ukrainas, Volodymyr Zelensky, të nënshkruajë një marrëveshje të tillë gjatë vizitës së tij në Uashington këtë javë, duke shtuar se, si këmbim, Ukraina do ta sigurojë “të drejtën për t’i vazhduar luftimet”.
Më tej, republikani miliarder tha se ka qenë duke bërë shtytje për të siguruar qasje në rezervat minerare të Ukrainës në këmbim të ndihmave ushtarake që Shtetet e Bashkuara ia kanë dhënë Kievit.
“Ne duam që t’i kthejmë ato para”- tha presidenti amerikan. “Ne po e ndihmojmë vendin nëpër një problem shumë, shumë të madh… por taksapaguesit amerikan tani do t’i kthehen paratë e tij në plus” – shtoi Trumpi.
Sipas vlerësimeve të Kievit, 5 për qind e “materialeve të para kritike” të botës ndodhen në Ukrainë, përfshirë 19 milionë tonë të rezervave të dëshmuara të grafitit, i cili përdoret për të prodhuar bateri të veturave elektrike.



